PËR NE

Manastiri është qyteti që ka ndërruar tre emra. Dikur në antikitet quhej Heraklea, më pas u pagëzua me emrin Manastiri, ndërsa në ditët e sotme për shumicën e vendeve të botës njihet si Bitola. Manastiri shtrihet në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë, kufizohet me Greqinë dhe Shqipërinë. Për nga madhësia është qyteti i dytë në Maqedoni, menjëherë pas Shkupit. Ky qytet ka një pozitë të lakmueshme gjeografike, shtrihet në mes maleve të Pelisterit dhe në qendër të fushës së Pellagonisë. Në gjysmën e dytë të shek. XVII,  Manastiri u shndërrua në një qendër të rëndësishme tregtare, administrative, ekonomike dhe kulturore që ndikoi në gjithë rajonin. Në atë kohë Manastiri zhvillonte tregti me qytetet e mëdha të Evropës Perëndimore siç ishin: Londra, Parisi, Vjena etj. Në shek. XIX, Manastiri u bë kryeqendra e vilajetit të Manastirit dhe një ndër qytetet më të njohura të Turqisë Evropiane. Aty u vendosën konsullata të Austrisë, Anglisë, Italisë, Rusisë, Austro-Hungarisë, Rumanisë, për këtë arsye edhe sot Manastiri njihet edhe si qytet i Konsujve. Sipas shënimeve të disa historianëve dhe udhëtarëve të huaj të cilët e kanë vizituar këtë qytet, mësohet se shqiptarët e përbënin gjysmën e popullsisë së Manastirit. Gjatë fillimit të shekullit XIX, Manastiri ka qenë një nga vatrat kryesore të klubeve shqiptare, të cilët orvateshin për përhapjen e arsimit shqip nëpër të gjitha viset e banuara me shqiptarë, ndërsa në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX, përpjekjet e atdhetarëve tanë u shtuan edhe më shumë. Ata vendosën që të formojnë një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe e sidomos Rilindasit. Ata e dinin  se pa një alfabet të njësuar, shqiptarët do të ishin gjithmonë të përçarë, ndërsa  lëvrimi i gjuhës dhe letërsisë shqiptare nuk do të jetë në nivelet e kërkuara, shkolla shqipe nuk mund të ecte përpara, librat nuk do ta kishin vlerën e tyre, pa një alfabet të vetëm. Mundësitë për mbajtjen e një Kongresi për njësimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u krijuan në korrik të vitit 1908, ku turqit e rinj, si rrjedhojë e luftës së pandërprerë që bënë popujt e shtypur, e rrëzuan Sulltan Abdyl Hamitin dhe shpallën Kushtetutën e re. Ata ndoqën një politikë demagogjike që premtonte ”Liri politike dhe të drejta të barabarta për popujt e shtypur”. Atdhetarët shqiptarë e shfrytëzuan me zgjuarësi dhe guxim këtë situatë të pëkohshme, duke i kapërcyer të gjitha pengesat që i dolën përpara nga regjimi i Turqve të rinj. Ata hapën klube në çdo kënd të trojeve shqiptare, si në Korçë, e cila ishte shndërruar në një çerdhe atdhetarësh, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Fier, Vlorë, Selanik, Dibër, Tetovë, Ohër, Strugë Manastir e në shumë vende tjera të Vilajeteve shqiptare. Në prag të mbajtjes së Kongresit të Manastirit qarkulluan edhe disa revista të reja, si  ”Dashamiri” (Triestë), ”Korça” në (Korçë), etj. Kështu pra ishte krijuar një atmosferë e ndezur, që çështja e alfabetit të zgjidhej sa më parë, pasiqë formimi i një alfabeti të përbashkët ishte bërë një kërkesë objektive. Pra pritej vetëm nisma për t’u marrë dhe zgjidhur këtë problem që vazhdonte me shekuj. Nismën për thirrjen e kongresit kombëtar për vendosjen e një alfabeti të vetëm e mori klubi shqiptar ”Bashkimi” i Manastirit, i cili luajti rolin kryesor midis klubeve shqiptare. Më 27 gusht të vitit 1908, pas vendimit që kishte marrë që më 21 gusht,  kryesia e klubit ”Bashkimi” të Manastirit, shpalli thirrjen, me të cilën u bëri të ditur të gjithë klubeve dhe shoqërive shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë për mbledhjen e kongresit të alfabetit i cili do të mbahet më 14 nëntor të vitit 1908. Kryesia e klubit ”Bashkimi” të Manastirit, me ftesën që i dergoi të gjithë klubeve, shoqërive dhe intelegjencies shqiptare u bëri të ditur ”se do të ftoheshin  të gjithë shqiptarët, gegë e toskë, filologë dhe të gjithë ata që interesohen për këtë çështje madhore kombëtare dhe kulturore. Kjo nismë e klubit ”Bashkimi” të Manastirit për mbajtjen e kongresit të alfabetit u prit me gëzim të madh nga klubet, shoqëritë dhe nga të gjithë atdhetarët shqiptarë si dhe nga kolonitë shqiptare të Kajros, Aleksandrisë, Bukureshtit, Varnës të cilat i dhanë një përkrahje të duhur. Kështu pra Kongresi i parë për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe i filloi punimet,  më 14 nëntor 1908 dhe i vazhdoi deri më 22 nëtor. Delegatët që morën pjesë në këtë kongres ishin kryesisht personalitete të njohura, me një përgatitje të mirë filologjike, të aftë për të zhgjidhur këtë problem delikat dhe të vështirë, me një histori të gjatë dhe të mundimshme. Në kongres kishte edhe delegatë të tjerë që ishin ftuar si patriot e aktivistë të lëvizjes sonë kombëtare. Pra përbërja shoqërore e delegatëve të Kongresit ishte e heterogjene ku pasqyronte veti dhe tipare të ndryshme të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Në Kongresin e Manastirit morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut. Përveç këtyre, në Kongres morën pjesë gjithashtu edhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Në këtë mënyrë Kongresi i Manastirit u shndërrua në një kuvend mbarëshqipëtar, ku morën pjesë 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Shkodrës, Kosovës, Manastirit, të Janinës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Sofjes, të Bukureshtit, të Konstancës, të Amerikës,  të Egjiptit, të Italisë etj. Tridhjetë e dy delegatët me të drejtë vote, që morën pjesë në Kongresin e Manastirit, ishin shkimtarë e publicistë të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laik e klerikë, veprimtarë të lëvizjes kombëtar edhe të klubeve shqiptare si:
Mithat Frashëri, delegat i klubit të Janinës dhe Shkupit
Gjergj Fishta, delegat i shoqërisë ”Bashkimi” të Shkodrës
Luigj Gurakuqi, delegat i shoqërisë ”Bashkmi” dhe arbëreshëve të Italisë;
Ndre Mjeda, delegat i shoqërisë ”Agimi” të Shkodrës;
Mati Llogoreci, delegat i shoqërisë ”Agimi” të Shkodrës;
Hilë Mosi, delegat i shoqërisë ”Gegnija” të Shkodrës;
Fehim Zavalani, delegat i kolonisë shqiptare të Egjiptit, drejtor i gazetës ”Bashkimi i Kombit” dhe kryetar i klubit ”Bashkimi” të Manastirit;
Gjergj Qiriazi, delegat i klubit ”Bashkimi” të Manastirit dhe nënkryetar i tij, përfaqësues i ”Shoqërisë Biblike Britanike” në Manastir;
Selahedin Bej, delegat i klubit ”Bashkimi” të Manastirit;
Mihal Grameno, delegat i shoqërisë muzikore ”Liria” e Korçës;
Shefqet Frashëri, delegat i klubit të Korçës;
Thoma Avrami, delegat i klubit të Korçës;
Sami Pojani, drejtor i shkollës së vajzave, Korçë, drejtor i gazetës ”Korça”
Gligor Cilka, delegat i shkollës së vajzave, Korçë;
Dhimitër Buda, delegat i klubit të Elbasanit;
Simon shuteriqi, delegat i klubit të Elbasanit;
Nikollë Kaçorri, delegat i klubit të Durrësit;
Refik Toptani, delegat i klubit të Tiranës;
Bajo (Bajram) Topulli, delegat i klubit të Gjirokastrës;
Rauf Beu, delegat i klubit të Gjirokastrës;
Leonidha Naçe, drejtor i klubit të Vlorës, drejtor shkolle;
Shahin Kolonja, delegat i klubit Kolonjës drejtor i gazetës ”Drita” të Sofjes;
Nyzhet Vrioni, delegat i klubit të Beratit, deputet në parlamentin turk;
Aziz Bërzhishta, delegart i klubit të Starovës;
Zejnel Glina, delegat i klubit të Leskovikut;
Sotir Peci, delegat i kolonive shqiptare të Amerikës dhe të Bukureshtit, drejtor i gazetës ”Kombi” të Bostonit;
Adham Skaba, delegat i shoqërisë së Sofjes;
Akil Efthimiu, delegat i klubit të Konstancës;
Hafiz Ibrahim Efendiu, delegat i klubit të Shkupit;
Emin Beu, delegat i klubit të Shkupit;
Dhimitër Mole, delegat i klubit të Filipesë (Bullgari);
Sulejman Efendiu, delegat i klubit të Starovës.
Seancën e hapjes së punimeve të Kongresit e drejtuan, si kryetarë të saj Rexhep Hoxha (Efendiu) dhe Fehim bej Zavalani, kryetari i klubit ”Bashkimi” të Manastirit, i cili foli për për qëllimet e këtij kuvendi dhe në fund të fjalëve iu lut të gjithë delegatëve të cilëve kombi iu kishte lënë në dorë një çështje kaq të rëndësishme, siç ishte ajo e alfabetit, të tregonin mençuri për ta zgjidhur atë, siç priste ai, mënyrën që të çonte në bashkimin e shqiptarëve, që kombi shqiptar të jetë i lumtur si kombet tjerë. Pas Fehim Zavalanit fjalën e mori Gjergj Qiriazi, që lexoi emrat e delegatëve të të gjitha shoqërive të vendit, ku edhe u pranua që ai të udhëhiqte punimet e Kongresit deri sa të vinte kryetati Mithat Frashëri, që pritej të arrinte të nesërmen sepse ditën e parë nuk kishte mundur të arrijë. Në këtë seancë ishin të pranishëm, si të ftuar, valiu i vilajetit të Manastirit, Hivzi Pasha, që u zgjodh edhe kryetar nderi i Kongresit, oficerë të lartë, si edhe mjaftë elementë të kombësive tjera, grekë, bullgarë e vllehë. Mbledhjet e ditës së parë dhe të dytë u zhvilluan të hapura ku morën pjesë shumë patriot  të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në seancën e pasditës u zhgjodh kryesia që do të udhëhiqte e drejtonte punimet e Kongresit.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri (Lumo Skendo), ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi, sekretarë: Hilë Mosi, Thoma Avrami dhe Nuzhet bej Vrioni.
Në Kongresin e Manastirit për shqyrtim u sollën tre alfabete;
Alfabetii shoqërisë së Stambollit (bazë latine) i krijuar në vtin 1879, nga Sami Frashëri, vëllai Abdyl Frashërit dhe bashkëpunëtorët e tij, siç ishin: Vaso Pasha, Jani Vreto, Hasan Tahsini dhe të tjerë.
Alfabeti i shoqërisë gjuhësore – letrare ”Bashkimi” (bazë latine) që u formua në vitin 1899, nën drejtimin e abatit të Mirditës, Preng Doçi në Shkodër.e ”Agimi”(bazë latine) që u themelua në vitin 1901, nga punëtori i palodhur i gjuhës shqipe, poeti i shquar, veprimtari, patrioti Ndre Mjeda. Parimisht nga delegatët u pëlqye dhe u miratua si bazë për alfabetin e gjuhës shqipe ai latin. Por ky problem ishte i zgjidhur me kohë pasi të tre alfabetet që u sollën në Kongres për shqyrtim kishin bazë latine. Pas shumë diskutimesh delegatët nuk arritën të vendosin për asnjërin nga këta alfabete, sepse secili delegat shfaqte mendimin e tij. Psh.: Nre Mjeda diskutonte për alfabetin e tij duke pohuar se alfabeti i tij kishte më shumë përparësi, duke mbrojtur parimin që një tingull të paraqitet me një shkronjë. Gligor Cilka, Mihal Grameno dhe F.Ypi i dhanë përparësi alfabetit të  Stambollit, ndërsa Luigj Gurakuqi shfaqi mendimin se duhej formuar një alfabet i ri për ti mos thyer zemrën askujt. Dhimitër Buda kërkoi që delegatët mos të merren me probleme filologjike, por vetëm me problemin e alfabetit. Të gjithë delegatët që diskutuan e mbyllën fjalën e tyre me mesazhin se duhet sakrifikoheshin interesat vetjake për të realizuar bashkimin në mes të gegërishtes në Veri dhe toskërishtes në Jug.
Pasi nuk hasën në miratimin e njërit nga këta 3 alfabete, në ditën e tretë të Kongresit pasdite, u zhgjodh një komision prej 11 vetash, me vota të fshehta sipas kriterit: Çdo klub, shoqëri apo qytet të kishte dy vota, pavarësisht nëse përfaqësohej nga një ose dy delegatë, kurse ata që ishin dërguar prej dy shoqërive, kishin nga katër vota. Kryetar i komisionit do të zhgjidhej ai që do të kishte më shumë vota. Meqenëse bisedimet do të zhvilloheshin më shumë rreth alfabeteve kryesore atij të Stambollit, të shoqërisë së ”Bashkimit” dhe shoqërisë ”Agimi”, delegatët menduan të zgjidhnin anëtarët e këtij komisioni nga mesi i atyre që përdornin njërin nga këto tre alfabete. Anëtarët  që do të merrnin pjesë në këtë komision duhet të ishin shkrimtarë të njohur të gjuhës shqipe dhe ata që e dinin se cili alfabet ishte më i miri për gjuhën dhe kombin tonë. Pra pas rezultateve të votimeve u pa se Gjergj Fishta u zgjodh kryetar i komisionit, Mithat Frashëri nënkryetar, Luigj Gurakuqi nënkryetar, ndërsa anëtarë u zgjodhën: Ndre Mjeda, Sotir Peci, Gligor Cilka, Gjergj Qiriazi, Dhimitër Buda, Shahin Kolonja, Bajo (Bajram) Topulli dhe Nyzhet Vrioni. Komisioni kishte për detyrë të ruante fshehtësinë e bisedimeve dhe u betua për atë gjë, kurse delegatët ishin të detyruar të pranonin vendimet e tij. Këshu komisioni e filloi punën, me dyer të mbyllura, më 17 nëntor 1908 për tri ditë me radhë. Komisioni i Kongresit diskutoi për për 3 mundësi:
Të përshtatej njëri nga alfabetet kryesore që përdoreshin në atë kohë: alfabeti i Stambollit (1878), i shoqërisë ”Bashkimi” (1899) dhe i shoqërisë ”Agimi” (1901),
Të bëhej kombinimi i këtyre tre alfabeteve,
Apo të krijohej një alfabet i ri, duke lënë mënjanë alfabetet ekzistuese.
Pas shumë diskutimesh komisionerët e zgjodhën variantin e tretë për të hartuar një alfabet të ri për shqipen, me bazë të alfabetit latin, gjë që shprehte para opinionit të huaj  aspiratat e popullit tonë se shqiptarët kishin gjuhën, historinë dhe kulturën e tyre të lashtë, jetonin në Evropë, prandaj edhe në fushën e kulturës i përkisnin asaj. Me gjithë vështirësitë dhe pengesat që patën, komisionerët arritën t’i kalojnë dhe ti sheshojnë mosmarrëveshjet dhe së fundi gjetën rrugën e zgjidhjes së alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe. Këshu pra më 22 nëtor të vitit 1908, u themelua Alfabeti i njësuar i gjuhës shqipe ku të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës pa marrë parasysh se cilit kofesioni fetar i takojnë shkruajnë njësoj, me alfabetin me bazë latine. Pra në Manastir u bë bashkimi i kombit.
SHTËPIA E ALFABETIT: Shtëpia ku u mbajt Kongresi i Parë për Njësimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe prej  14- 22 Nëntor 1908, gati 100 e më shumë vite ishte lënë në harresë nga kombi shqiptar, intelektualët, dhe shoqëritë shqiptare, pasiqë shkaqet dihen. Kaluan luftrat Ballkanike, pastaj borërore dhe politika të ndryshme ku shqiptarët ishin të diskriminuar si komb nga srukturat e Qeverive të ndryshme që kaluan në vendet e ish Jugosllavisë. Mirëpo pas coptimit të ish Jugosllavisë, ndarja e Republikave në vete, erërave demokratike që fryen edhe në të mirë të popullit shqiptar, njerëzve të palodhur të çështjes kombëtare, dashamirësve të artit dhe kulturës shqiptare kjo shtëpi e Kongresit të Parë për Njësimin e Afabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir u shndërrua në muze dhe funksionon si Institucion Nacional  ”Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe” në kuadër të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë. Ky muze është i hapur çdo ditë për vizitorë. Muzeu është i pajisur me dokumente të ndryshme të alfabeteve, duke filluar nga alfabeti i Formulës së pagëzimit të vitit 1462, të Pal Engjëllit, e deri te dokumenti i fundit të alfabetit që e kemi ne sot, Alfabetin me 36 shkronja, që përdoret për të gjithë shqiptarët. Në këtë muze janë të ekspozuara fotografi të Rilindasve tanë që gjithmonë dhe parreshtur  kënduan, punuan, sakrifikuan edhe gjënë më të shtrenjtë jetën e tyre për shkronjat dhe lëvrimin e gjuhës shqipe. Në këtë muze gjenden edhe fotografitë e disa delegatëve, fotografitë e Vendimit të Kongresit. Në muze është edhe stafi punues i cili kujdeset për punët e muzeut, pritjen e vizitorëve dhe punëve të tjera që janë në kuadër të muzeut.
Stafi punues i Muzeut:
Drejtor: Nuer Arsllani
Albanolog: Mendushe Rushid
Juriste: Rejhan  Abdullova
Edukatore:Edita  Bajramoska
Arkivist: Rean  Alioska

Stafi punues i muzeut së bashku me drejtorin angazhohen që të kenë kontakte dhe të bashkëpunojnë me të gjithë institucionet tjera muzeale që gjenden në Maqedoni,  Shqipëri, Kosovë e gjetiu për të pasuruar Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe me artefakte që i pëkasin.