Afet Jashari

IN “MUZEU I ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE”
TRIBUNË SHKENCORE :
ATDHETARI I SHQUAR MIT’HAT FRASHËRI
AFET JASHARI
Ministria e Kulturës së R.M-së dhe studime postdiplomike në Institutin për trashëgimi shpirtërore e kulturore të shqiptarëve –Shkup
Tema:MANASTIRI, KONGRESI  DHE ATDHETARI MIT’HAT FRASHËRI
 Kongresi i Manastirit pa dyshim është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar. Aty u vunë bazat e shkrim-leximit të gjuhës shqipe dhe u shtrua rruga për përhapjen e saj kudo që flitet e shkruhet gjuha jonë. Edhe pse, fatkeqësisht, në qytetin e sotëm të Manastirit ka shumë pak shqiptarë, themelimi i Muzeut të Alfabetit Shqip është ai që nuk do të lejojë asnjëherë të humbin gjurmët shqiptare në këtë qytet, aq më pak të humbet rëndësia historike e këtij qyteti që ka për shqiptarët në përgjithësi.
Me organizimin e tribunave shkencore për ngjarjet historike që kanë ndodhur në këtë qytet, Muzeu i Alfabetit Shqip po e vërteton rolin që e ka për afirmimin e momenteve dhe figurave historike që lidhen me kongresin e vitit 1908, si dhe me mbarë historinë e deri atëhershme që solli si përfundim kongresin në fjalë. Me Kongresin e Manastirit, për të cilin dihet se ka ndodhur më 22 nëntor të vitit 1908, atdhetarët e asaj kohe, pjesëmarrës në këtë kongres nga të gjitha trojet etnike të shqiptarëve, kurorëzuan përpjekjet e shumë brezave atdhetarësh dhe njerëzve të penës për të krijuar një alfabet për përdorim të përgjithshëm mbarëshqiptar. Këtë në një fjalë rasti e vërteton edhe Mihal Grameno i cili ka thënë: Me sa gëzim dhe me sa padurim prisnim ditën e kongresit të pare kombëtar, gëzimi dhe padurimi ishte në delegatët. Duhet theksuar se kongresi nuk ishte vetëm një tubim për gjuhën, por një kongres kombëtar për çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare ku morën pjesë 32 delegatë që përfaqësuan 22 klube dhe shoqëri të ndryshme atdhetare e kulturore, brenda dhe jashtë vendit.  Për kryetar të kongresit delegatët vendosën që ta ja japin besën atdhetarit Mit’hat Frashërit ndërsa si nënkryetar u zgjodhën Luigj Gjurakuqi dhe Gjergj Qiriazi, ndërsa anëtarë Ndre Mjeda, Sotir Peci, Bajo Topulli, etj. Për ngjarjen historike të takimit shqiptar në Manastir Mit’hat Frashëri në një rast do thotë Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe është një ngjarja më e shënuar kombëtare në prag të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 . Njësimi i ABC-ve është pema e pare e kongresit , por ka edhe një pemë tjetër akome më të madhe dhe më të bukur dhe kjo është bashkimi i shqiptarëve. Ish, pra një ngjarje e re për ne kjo mbledhje , ku pamë krah për krah gegë dhe toskë , të krishterë dhe musliman , hoxhë dhe priftër . Qoftë ky themel i  një bashkimi të përjetshëm të Shqiptarëve ka thënë Mit’hat Frashëri. Por ëndrra dhe ideja e delegatëve si dhe vullneti i tyre nuk do të zgjasë shumë pasi që ky revolucion kulturor ishte përfytyruar si një konfirmim jo i dhunshëm, shumë shpejtë ishte kthyer në një zjarr të rrezikshëm. Atdhetarët që planifikuan idenë e pavarësisë si Isa Boletini dhe Ismail Bej Qemali, do të nxitonin për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor në Vlorë të vitit 1912. Pas disa muajve shpërtheu Lufta Ballkanike ku Manastiri dhe Shkupi, dy qytete historike të banuara me shumicë shqiptare u pushtuan nga serbët. Të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën dhe shumica e atdhetarëve shqiptarë u mbytën dhe u burgosën, ku atëbotë qytetarët shqiptarë me përkatësi fetare  myslimane u detyruan të braktisin qytetin e Shkupit dhe të Manastirit, ndërsa ato familje ortodokse shqiptarë që  mbetën u asimiluan dhe u sllavizuan  për shkak rrethanave që ishin atëbotë.
MIT’HAT FRASHËRI  (1880- 1949) – ME PAK FJALË PËR JETËN E TIJ
Mit’hat Frashëri atdhetar i shquar u lind më 25 mars të vitit 1880 në qytetin e Janinës, ndërsa vdiq më 3 tetor të vitit 1949 në Nju-Jork (SHBA). Ai u rrit nën kujdesin e xhaxhallarëve Sami dhe Naim Frashërit pasi që babanë e vet, Abdyl Frashërin, e kishte njohur shumë pak ngase ai kishte vdekur që kur Mit’hati ishte fëmijë. Pas mbarimit të shkollimit dhe edukimit akademik punoi në administratën osmane në Stamboll dhe pastaj në Selanik në administratën shtetërore.

Me rëndësi është të theksohet se Mit’hat Frashëri më 4 prill të vitit 1929 në testamentin e tij lë shtetit shqiptar pasurinë e tij, të tundshme dhe të patundshme me qëllim të krijimit të një instituti Albanologjik në Tiranë, i cili do të merrej me studime historike të Shqipërisë. Veprimtaria letrare, socio-kulturore si dhe politike e Mit’hat Frashërit është shumë dimensionale. Është konsideruar si njëri nga intelektualët më të shquar të brezit të vet. Gjatë pesë dekadave të sundimit komunist ai mbeti i hetuar dhe u quajt reaksionar, tradhtar etj. Në vitin 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku siç theksuam edhe më lart, zgjidhet kryetar i Kongresit si dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit. Në moshën 32 vjeçare, aq sa kam dhe unë, që mora përsipër të shkruaj rreth këtij atdhetari shumë të shquar, veprimtaria e të cilit nuk duhet nëpërkëmbur nga institucionet shkencore e kulturore te Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit zyrtar, largohet në Stamboll dhe udhëton në Shqipëri duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në qeverinë e pavarësisë të krijuar nga Ismail Qemali, zgjidhet ministër i botës. Mit’hat Frashëri është marrë edhe me veprimtari publicistike dhe letrare si dhe përkthyes i veprave, të cilat janë botuar në “Kalendari Kombiar”,” Lirija dhe Diturija”, “Plagët Tona”, etj.

Mit’hat Frashëri si intelektual i shquar dhe mendimtar i denjë, atëbotë ka pasur edhe vlerësimet e  tij për shkrimtarët dhe gazetarët, për intelektualët si dhe për pushtetarët. Të gjitha këto vlerësime janë botuar në një shkrim të publicistit tonë të njohur, Salajdin Salihu.

Me këtë takim do të theksoja vetëm një pjesë të eseve të Mit’hat Frashërit. P.sh, për Gazetarët dhe shkrimtarët: Njerëzit e letrave mund të bënin gjithçka për qytetërimin e një populli dhe përparimin e tij ndërkaq për shtypin thoshte se duhej të ishte kopshti i një jete morale, shkolla e së vërtetave politike dhe shoqërore. Për intelektualin: Zgjimi i një horizonti të mendjes dhe të moralit me ndjenja më të holla dhe më të lëmuara, varet nga rëndësia dhe bukuria që do të dimë ne t’i japim jetës intelektuale, me anë të shkrimeve. Ndërsa për pushtetarin ai thekson se çdo komb ka qeverinë që meriton. Më tej shton se fuqia e një njeriu është e vogël për të ndrequr një qeveri të tërë, por e mjaftë për të ndrequr punët e tija personale. Mit’hati kërkon që çdo kush të marrë përgjegjësinë në përparimin e një kombi apo shteti, e jo vetëm qeveritarët. Ai është i vetëdijshëm se nëse gjithçka lihet në duart e qeveritarëve, atëherë do të ketë keqpërdorime.
Vepra e tij është e gjerë, e kemi njohur edhe si reaksionar e tradhtar, por nga ana tjetër, nga ajo që kemi si dëshmi të shkruar e të botuar, por edhe nga të thënat del se Mit’hat Frashëri ka qenë një atdhetar që ka punuar në shërbim të popullit shqiptar.
Edhe pse jemi të ndarë si shqiptarë në shumë shtete, vizionin dhe misionin e atdhetarit Mit’hat Frashërit duhet dhe mund ta vëmë në shërbim të mirëqenies mbarëshqiptare. Pishtari i ndezur nga ai duhet të na stimulojë të bëhemi shembull i shoqërive evropiane.
nëntor 2015 , Manastir