Dorjan Koçi

Dorian Koçi
Doktorant i Shkencave Historike
Nëndrejtor i Muzeut Historik Kombëtar
Emigracion i politikiviteve 1944-1949 dhe Mid’hatFrashëri
Nacionalizmi shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore u përball me dy sfida kontradiktore me njëra-tjetrën. Nga njëra anë, me agresionin e 7 Prillit, kur u rrëzua pavarësia e Shqipërisë, një ideal dhe realitet historik që nacionalistët shqiptarë kishin kontribuar, duke krijuar shtetin shqiptar më 28 Nëntor 1912, por në të njëjtën kohë nxitja dhe krijimi i një Shqipërie që përfshinte disa territore të banuara nga shqiptarët siç ishte rasti i Kosovës, pjesës perëndimore të Maqedonisë, ngrohu shpresat për një rikorrektim kufijsh dhe korrigjim të historisë.
Këto ishin arsyet që një pjesë rezistuan në heshtje dhe filluan të ndërmerrnin plane për t’u organizuar për një kryengritje të përgjithshme të ngjashme si Lufta e Vlorës, afro 20 vjet më parë, ndërsa një pjesë tjetër të joshur nga “Shqipëria e Madhe” u rreshtuan në administratën e pushtuesit, duke menduar se tashmë Shqipëria e kishte gjetur veten në rendin e ri fashist.Dorëzimi i kurorës së Skënderbeut, mbretit të Italisë Viktor Emanuelit III, është akti më i turpshëm i kolaboracionistëve shqiptarë dhe që besoj se nuk bën krenar askënd, ndërkohë një pjesë  e nacionalistëve u organizuan në organizatën e “Ballit Kombëtar” të udhëhequr nga Mithat Frashëri. Ky grupim politik ishte jo vetëm antiitalian pasi në agresionin e 7 prillit shikonin rrëzimin e pavarësisë kombëtar, po aq dhe republikan pasi kërkonin të ndërmerrnin reforma të thella , përfshi atë agrare pas luftës. Diku në sfond, para pushtimit ishin dhe komunistët, të shpërndarë pa një parti, idealistë por edhe të dëshiruar për të kryer reforma sociale sa më të shpejta në një Shqipëri që kishte mbetur si një muze arkaik i feudalizmit të vonë, ku që nga ikja e Perandorisë Otomane nuk ishte ndërmarrë ndonjë reformë që të zbuste pabarazinë e tmerrshme sociale. Sulmi i Gjermanisë Naziste mbi Bashkimin Sovjetik, atdheun e tyre ideologjik i çliroi nga çdo kompleks pasiviteti dhe nën direktivat e drejtpërdrejta të Komiternit u organizuan në një parti politike, që shumë shpejt rezultoi të ishte shumë efikase në organizim dhe në lëvizjen ilegale.
Pushtimi i vendit rrëzoi shumë mite mbi të cilën shqiptarët e viteve ’30 kishin sendërtuar identitetin e vet, ndaj edhe përpjekjet për të rifilluar një luftë çlirimtare sigurisht që nuk do të kalonin përmes së njëjtës shkollë mendimi dhe veprimi. Karta e Atlantikut në gusht të vitit 1941 e nënshkruar midis Anglisë dhe SH.B.A përfshin të dy opsionet e mundshme tërezistencës aktive shqiptare, parimin se nuk do të njihej asnjë ndryshim kufijsh i vendosur gjatë luftës, por në të njëjtën kohënjihte dhe të drejtën e vetvendosjes së popujve. Nacionalistët shqiptarë me në krye Mithat Frashërin besonin në këtë parim, ndaj përpjekjet dhe  mundi i tyre shkonte në drejtimin e mundësisë së mbajtjes së kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare në Shqipërinë e pasluftës. Zhvillimet politike të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore sollën në pushtet komunistët dhe vendosjen e regjimit totalitar. Sëbashku me hyrjen e qeverisë komuniste në Tiranë u instalua dhe aparati i dhunës çka bëri që shumë figura politike të emigronin në Itali dhe vende të tjera si emigrantë politikë. Mes tyre ishte dhe Mithat Frashëri që e la Shqipërinë në 22 nëntor për të arritur të nesërmen në Bari.
Jetesa e emigracionit politik shqiptar në Itali ishte shumë e vështirë jo vetëm nga gjendja ekonomike por edhe sepse Britania e madhe dhe SH.B.A ende nuk kishin të qartë sesi do silleshin me regjimin e ri të Tiranës dhe ato vazhdonin të ishin ende në aleancë me Bashkimin Sovjetik. Gjatë vitit 1945 emigracioni politik vazhdoi procesin e riorganizimit të partive të vjetra antikomuniste, “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti” e krahas tyre dhe organizimi i grupeve të reja. Më 31 dhjetor 1945 u zhvillua Kongresi i Dytë i Ballit Kombëtar, në Rexhio Emilia të italisë. Në qëndër të programit të miratuar u vu lufta kundër komunizmit. Në këtë Kongres u miratua statuti, dekalogu, një dokument me titull “Tetë Pikat e Nacionalizmit Shqiptar” si dhe “Parimet Politike”. Në vitin 1946 në Itali u krijua dhe organizata Blloku Kombëtar Indipendent, në rradhët e të cilit aderuan mjaft emigrantë proitalianë e profashistë, ku si timonier dhe ideator i kësaj organizate konsiderohej Ernest Koliqi. Pas tij u krijua edhe grupi Demi-Laburist, që kryhesohej nga Ibrahim Farka, Seit Kryeziu dhe Ihsan Toptani. Në këtë kohë egzistonte edhe grupi i kosovarëve i drejtuar nga Xhafer Deva. Në vitin 1948 u shtrua çështja për bashkimin e grupeve, që ishin krijuar në emigracion, e cila u nxit edhe nga konflikti që shpërtheu midis Partisë Komuniste të Shqipërisë e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Pëpjekjet për bashkim ndeshën në vështirësi edhe brenda vetë grupeve, të cilët kishin ndërmjet tyre divergjenca e opinione të ndryshme për organizimin e luftës kundër regjimit komunist në Shqipëri dhe për formën e regjimit që duhej të vendosej pas përmbysjes së tij. Balli Kombëtar e pranonte parimisht bashkimin, por ishte shumë intolerant, kur binte fjala se si do të realizohej ai.
Elementi i ri i Ballit ishte kundër bashkimit me Bllokun Kombëtar Indipendent, pasi ai kishte bashkpunuar me italianët gjatë pushtimit, kurse grupi i Mithat Frashërit kishte marëdhënie jo të mira me monarkistët, për arsye se ai dhe pasuesit ishin republikanë të vendosur. Qëndrimi i “Ballit Kombëtar” dhe roli i tij për bashkimin e grupeve ishte i rëndësishëm, sepse ai përbënte forcën më të madhe dhe më me influencë në emigracionin shqiptar. “Balli Kombëtar” kishte shumicën e emigracionit politik në Itali, në Angli, në Australi, në SHBA e në Kanada. Ndërsa Legaliteti kishte më shumë ndikim  në emigracionin politik në Greqi, në Turqi, në Egjipt etj.Në mërgim Mid’hat Frashëri gjalloi në kampet e regugjatëve, tok me bashkëluftëtarët e vet, pa u ndarë asnjë çast nga shokët në të gjitha vitet e mërgimit dhe pa pranuar ftesat e shumta të miqve dhe personaliteteve të ndryshme të Evropës për t’u vendosur në Romë, Paris, Stamboll etj. Ai e ndau dhimbjen dhe vuajtjen me bashkëatdhetarët: kemi dy vjet që u detyruam të largohemi nga Shqipëria dhe të bëhemi refugjatë. Sot në tokën e mërgimit të anës perëndimore të Adriatikut , jemi afër 750 shqiptarë, në mes të të cilëve edhe gra , kalamaj dhe pleq. Në Greqi janë 800 refugjatë të tjerë të larguar nga atdheu dhe mezi të shpëtuar nga masakrat, despotizma dhe tmerri që ka mbuluar Shqipërinë. Këta 1500 janë nga të gjitha anët e Shqipërisë : nga Konispoli, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut dhe një numër i madh nga Kosova.[1]

Në maj të viti 1948 Mithat Frashëri parashtroi platformën për bashkimin e emigracionit, por përpjekjet serioze për të filluan gjatë prillit të vitit 1949.  Bisedimet e zhvilluara gjatë muajve prill-gusht, të cilat u zhvilluan me krerët kryesore të dy grupimeve atij të Ballit Kombëtar dhe atij të Legalitetit, arritën të mereshin vesh me njëri-tjetrin, duke lënë mënjanë mosmarëveshjet për formën e regjimit, i cili do të caktohej nga populli shqiptar me votë të lirë.

Ndërkohë qeveria e Tiranës komuniste që vazhdonte të mos njihej nga aleatët anglo-amerikanë, duke shfrytëzuar kontekstin botëror tëluftës kundër fashizmit, u kërkoi autoriteteve anglo-amerikane në Itali, dorëzimin e të ashtëquajturve “kriminelë lufte”. Emrat e një liste shumë të gjatë i printe emri i Mithat Frashërit për të cilin kryetari i komisionit qendror për zbulimin e krimeve të luftës, Manol Konomi shkruante: Inspirator dhe organizatori kryesor, kryetar i orgamnizatës tradhëtare Balli Kombëtar. Përgjegjës për politikën kolaboracioniste të kësaj organizate me okuptatorët fashistë italianë dhe gjermanë. Ka deleguar tre eksponentë të kësaj organizate të marrin pjesë në qeverinë kuislinge në kohën e okupacionit gjerman. U ka dhënë gjermanëve çdo ndihmëdhe ka bashkëpunuar me ta me çdo mjet për shtypjen e Luftës NÇL dhe Aleatëve. Përgjegjës për të gjithë masakrat, torturat, djegiet dhe mizoritë e kryera prej kësaj organizate në bashkëpunim me qeveritë kuislinge dhe me okupatorin kundër popullit.[2]

Si mund të kuptohet lehtë nga teksti dhe gjuha e përdorur në kërkesën e qeverisë komuniste kishte eksagjerime dhe pasaktësira për të denigruar kundërshtarin politik ndaj edhe aletatët anglo-amerikanë nuk i morën parasysh këtë kërkesë, pavarësisht fakti që qeveria e Tiranës ushtronte presion mbi qeverinë italiane nëpërmjet të ngarkuarit me punë në Itali, Llambi Dishnica , i cili mbasi bisedoi për këtë çështje me senatorin komunist Eugene Reale(18 qershor 1948), raportonte se :Ia dhashë emrat e një sasie kriminelësh, si Mit’hat Frashëri.
Emigracioni shqiptar në kuadër dhe të ashpërsimeve lindje-perëndim dhe fillimeve të Luftës së Ftohtë do të fitonte vëmendjen e aleatëve por do të përpiqej që të organizohej edhe vet në një gupim bashkues për të qenë sa më efikas në aktivitetin e vet për të rrëzuar qeverinë komuniste së Tiranës. Krijimi i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” u shpall më 26 gusht 1949. Ky Komitet drejtohej nga Komiteti Egzekutiv, nën kryesinë e Mithat Frashërit. Në deklaratën e Komitetit “Shqipëria e Lirë” e miratuar në shtator 1949, në Londër, theksohej: se qëllimi i KKSHL ishte lufta për të fituar pavarësinë e Shqipërisë dhe për të siguruar sovranitetin e integritetin e saj. Pas përmbysjes së regjimit komunist do të caktohej nga populli shqiptar me votë të lirë forma e regjimit. Krijimi i këtij Komiteti e rriti aktivitetin antikomunist në emigracion.Mit’hat Frashëri në krye të këtij Komiteti që përbënte qeverinë shqiptare në emigracion përçoi sërish tiparet e politkës së tij paqësore dhe largpamëse për të arritur rezultatet më të larta me ndihmën e faktorit ndërkombëtar por pa dëmtuar popullin shqiptar. Ndryshe nga disa ekstremistë që es hikonin përmbysjen e regjimit komunist me anë të një ndërhyrje ushtarake nga perëndimi(sidomos nga Greqia), Mid’hat Frashëri ishte kundër çdo ndërhyrje dhe përmbyseje me dhunë, të cilat do t’i sillnin vendit veç viktima të tjera të panevojshme, si dhe mund të shkaktonin një luftë tjetër. Mid’hati përpiqej të bënte detyrën si shqiptar dhe të respektonte paanësinë dhe integritetin e Shqipërisë. Ndryshimet në Shqipëri do tëvinin nga brenda, me përpjekjen e të gjithë shqiptarëve dhe me ndihmën e vendeve demokratike, duke u përballur jo me armë, por me ballafaqime idesh, vlerash dhe zhvillimesh politike, ekonomike e sociale.[4]Po kështu një qendrim të fortë moral Mid’hat Frashëri mbajti dhe për figurat politike që do të ishin pjesëmarrës në komitetin “Shqipëria e Lirë”. Qysh mund të paraqitemi përpara opinionit publik krahë pë krahë si bashkëpunëtorë me njerëz mbi supet e të cilëverëndojnë ngjarje të shëmtuara që e bënë Shqipërinë një shkretinë duke përfunduar në gjendjen e sotme>pyet Mid’hat Frashëri kur kërkon që të mos bashkëpunojë me figura politike që ishin përlyer duke bashkëpunuar me fashizmin gjatë zhvillimeve të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Qëndrimi largpamës dhe konsukuent i tij ndaj kësaj çështjeje vazhdon të jetë aktual edhe sot kur herë pas herë kërkohet të revizonohet historia dhe qendrimi ndaj figurave historike politike që kishin funksione në regjimin fashist 1939-1943 dhe më vonë gjatë okupacionit gjerman. Kondita e parë dhe kryesore e vënë prej Ballit Kombëtar për t’u bashkuar në një komitet me Bllokun Indipedent është që Blloku Indipedent të bëjë rishikim të radhëve të tij duke përjashtuar elementët e komprementuar, si kolaboracionistë me Italinë Fashiste…Për këto i referohen më tepër E.Koliqit, Libohovës, Dinos, Kol Bibë Mirakajt, Mustafa krujës, Gjon Markagjonit etj. Kjo maturi politike dhe ky qendrim i prerë kundër kolaboracionistëve e alarmoi qeverinë e Tiranës që pa në Komitetin Shqipëria e Lirë një organ drejtues që po fitonte simaptinë e perëndimit, por që mund të kishte efekt edhe brenda Shqipërisë. Fjalimi i Mit’hat Frashërit në Londër nga valët e BBC, ku u lexua deklarata e Komitetit “Shqipëria e Lirë” la shumë përshtypje në emigracion por edhe në ata pak njerëz që e dëgjuan në Shqipëri. Ajo përbënte thelbin e mendimit politik të Mit’hat Frashërit dhe në një farë mënyre testamentin e tij politik, pasi disa muaj më vonë do të vdiste në SH.B.A
Qëllimi i Komitetit asht që të bajmë të njohun botës për vuajtjet mizore të popullit shqiptar dhe të sigurojë ndihmën e tij në përpjekjen për liri dhe demokraci. Komiteti do të përqendrojë të gjitha përpjekjet për të siguruar pavarësinë dhe integritetin tokësor të shqipërisë. Mbas lirimit nga diktatura komuniste, popullit do t’i jepet rasa të caktojë me zgjedhje të lira formën e regjimit që dëshiron dhe të vendosë një qeveri demokratike që t’i garantojë liritë politike e të drejtat njerzore dhe t’i sigurojë hyrjen në familjen e kombeve të lira demokratikë.