Veprimtaria atdhetare, kulturore e arsimore e Gjergj Qiriazit
Pas një amullie dhe hutie të krijuar gjatë një periudhe tejet të gjatë të sundimit otoman prej rreth pesëqind vitesh dhe të inspiruar prej lëvizjeve të shumta të klasës së mesme dhe fshatarësisë e punëtorisë nëpër të gjithë Europën perëndimore, aty kah mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, edhe shqiptarët sikur filluan të këndelleshin dhe të intensifikojnë veprimtaritë e tyre për një autonomi më të gjërë brenda kësaj perandorie dhe eventualish edhe për çlirimin definitiv nga ajo. Në të vërtetë, pas revolucionit Borgjez Francez të vitit 1848, klasa intelektuale e shqiptarëve, e përbërë prej një grushti të vogël njerëzish të ngritur, kryesisht poetë atdhetar të shkolluar jashtë vendit, e filluan një fushatë mjaft cilësore, fillimisht nëpërmjet të botimit të ktijimeve letrare a kumtesave me karakter atdhetar-politik ndërsa më vonë edhe nëpërmjet të formave tjera të veprimit në teren duke ngjallë kështu shpresat se një popull i vogël ashtu si ishin shqiptarët por të njohur për nga atdhedashuria dhe delli luftarak që kishin, mund t’ia dalë duke luftuar dhe duke vepruar deri në formimin eventual të një shteti kombëtar, ashtu si kishin bërë tashmë disa popuj tjerë të Ballkanit. Për të ilustruar këtë situatë të nderë dhe të rëndë por jo edhe të pashpresë, për të treguar gjendjen e rëndë në të cilen ishte katandisur europa e shekullit nëntëmbëdhjetë por që megjithate po këndellej gradualisht dhe duke dëshiruar që edhe Shqipëtarët të ndjekin të njejten rrugë, me ndihmen e pjesës intelektuale të vebndit, Naim Frashëri, në vitin 1899 përveç tjerash, në një poezi të tijen do të shkruaj edhe këtë strofë:
“ Evrop’e shkret’ atëherë ishte për djall e për lumë, pritte Ruson’e Volterë ta zgjuanin ng’ay gjumë…”
Një veprimtari e këtillë, e paraprirë prej shkrimtarëve e poetëve të kohës, të cilësuar si avangardë e ndryshimeve revolucionare në shoqëri, si duket pati sukses, edhe pse dukshëm të vonuar në raport me popujt tjerë të Europës Jug lindore. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë kështu u botuan shumë revista e gazeta me punime gjinishë të ndryshme por kryesisht të motivuara për të ndihmuar atdheun në nevojë, u botuan shumë përmbledhje vjershash e krijimesh tjera letrare me motive kryesisht atdhedashurie si dhe u organizuan tribuna e tubime gjithandej ku shqiptarët ishin të organizuar, nëpr qendrat më të mëdha të europës e azisë me qëllim senzibilizimin e opinionit më të gjërë për çështjen kombëtare dhe ruajtjen e ndjenjes së dashurisë ndaj gjuhës, vendit dhe popullit shqiptar. E tërë kjo lëvizje e gjërë në fushen e kultures, në rrafshin politik dhe propagandues si dhe në organizimet e mëpastajme në fusha tjera të veprimit të intelektualëve të kohës u quajt Rilindje Kombëtare, një Lëvizje e cila rezultoi me mbajtjen Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878, për të vazhduar pastaj me organizimin e Kongresit të alfabertit në Manastir në vitin 1908 dhe për tu kurorëzuar me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë.
Ngjarjte e mëdha dhe ndodhitë të cilat pastaj kanë pasë ndikim të drejtpërdrejtë në rrejdhat e historisë së një kombi, gjithsesi nuk mund të bëhen pa njerëz të mëdhej dhe pa mendje të ndritura të që dalin prej gjirit të tij, pa njerëz parashikues të ngjarjeve dhe njerëz të cilët janë të gatçëm në çdo kohë dhe në çdo situatë të sakrifikojnë çdo gjë në të mirë të vendit dhe popullit të tyre. Jo vetëm njerëz të ngritur dhe të ditur por edhe familje të këtilla ndër ne shqiptarët për fat të mirë ka pasë nëpër shekuj, familje të cilat kanë bërë emër dhe kanë mbetë të shkruara nëpër faqet më të ndritura të historisë kombëtare.
Ndër familjet më të ndritura, më të dashura dhe më të respektuara të shqiptarëve, ndër familjet të cilat me veprimtarinë e tyre krijuese, shkencore, arsimore dhe atdhetare demostruan vullnetin e tyre për të ndryshuar gjërat dhe treguan dashurinë ndaj gjuhës, kulturës dhe traditës kombëtare, është gjithsesi familja Qiriazi nga qyteti i Manastirit. Gjerasim Qiriazi, Dhori Qiriazi, Gjergj Qiriazi, Sevasti Qiriazi dhe të tjerë pasardhës të kësaj familje të nderuar punuan pa kursim dhe sakrifikuan çdo gjë në të mirë të vendit dhe kombit. Si pjesë e rëndësishme e kësaj familje dhe si një intelektual i kohës, organizator i shumë evenimenteve nga fusha e kulturës dhe organizimit politik, gjithsesi është edhe Gjergj Qiriazi, një njeri i cili i dha vulen një epoke të rëndësishme të organizimit politik të shqiptarëve, në një kohë kur kjo ishte më se e domosdoshme dhe jetike.
Pas vdekjes së Gjerasim Qiriazit, të gjitha aktivitetet që ajo kishte zhvilluar në drejtim të organizimit të shqiptarëve, vëllai i saj Gjergji, u bë ndër figurat qëndrore dhe më të angazhuara për çështjen kombëtare. Në të vërtetë, edhe anëtarët tjerë të familjes Qiriazi, si Gjerasimi (1858-1894), Sevasti (1871-1949) dhe më vonë Parashqevi Qiriazi (1880-1970) gjatë gjithë jetës së tyre qenë të angazhuar rreth organizimit politik, për hapjen e shkollave shqipe, për botimin e gazetave, revistave e librave shkollor dhe për koordinimin e punëve që duheshin kryer deri në shpalljen e pavarësisë së vendit.
I lindur në vitin 1868 në Manastir, në vlugun e aktiviteteve të Rilindjes Kombëtare dhe kur popujt e Ballkanit tanimë po bënin përgatitjet e fundit për shpalljen e pavarësisë së vëndeve të tyre, Gjergj Qiriazi u rrit dhe u zhvillua në frymen e këtyre vlimeve dhe ndryshimeve të mëdha që po ndodhnin. Vetë familja e tij, e ngjeshur dhe e brumosur me ide përparimtare dhe me një kulturë oksidentale, ndikoi që edhe Gjergji të formësohej dhe të ushqehej me idetë më përparimtare të kohës. Ai fillimisht u shkollua në një shkollë greke të qytetit ndërsa më vonë studimet i vazhdoi në Kolegjin Amerikan në Samokov. Me një kulturë të madhe të fituar jo vetëm gjatë shkollimit të tij por edhe në bazë të leximit të veprave më të njohura të rilindësve tanë, Gjergj Qiriazi u bë ndër figurat më të rëndësishme të organizimeve arsimore, kulturore e polittike të kohës. Gjithsesi, aktiviteti i tij më i njohur është në organizimin dhe drejtimin e Kongresit të Manastirit, drejtimin e shkollës së vashave në Korçë, themelimin e gazetës “Bashkimi i Kombit”, hartimin dhe botimin e teksteve shkollore, redaktiminin dhe botimin e dorëshkrimeve të vëllait Gjerasimit etj.
Si sekretar dhe njëherësh nënkryetar i klubit “Bashkimi’ nga Manastiri, Gjergj Qiriazi u bë ndër njerëzit i cili me këmbëngulësi dhe me vullnet të madh, me një bindje të paluhatur dhe me vizion të qartë iu përvesh punës së organizimit të një tubimi të intelektualëve dhe atdhetarëve të kohës të cilët duhej të vendosnin dhe përzgjidhnin një alfabet të unifikuar dhe të vetëm për të gjithë shqiptarët. Ky tubim i quajtur Kongresi i Manastirit i cili u organizua dhe u mbajt në Manastir prej datës 14 deri 22 Nëntor të viti 1908 nuk ishte vetëm një mbledhje e rëndomtë ku u vendos për shkronjat e shkrimit shqip por ishte edhe një tribunë politike ku u morën shumë qëndrime tjera me interes për popullin dhe vendin në kohën e luhatjeve të fuqishme mu brenda Perandorisë Otomane por edhe në kuadër të lëvizjeve thelbësore të cilat u organizuan pas Lidhjes së Prizrenit dhe ngjarjeve që pasuan më vonë. Karakteri politik, me motivacion autonominë më të gjërë të viseve shqiptare që u hartua në Kongresin e Manastirit në të vërtetë është një Program Kombëtar prej 18 pikësh i cili nëpërmjet Shahin Kolonjës, deputetit shqiptar nga Korça, duhej prezentuar në Parlamentin turk në formë të kërkesës së shqiptarëve. Ky Program përbëhej prej 18 pikëve të detajuara dhe të hartuara të cilat duhej miratuar dhe funksionalizuar, ashtu si vetë delegatët e Kongresit ishin dakorduar.
Si njëri ndër ideatorët dhe organizatorët e Kongresit të Manastirit, Gjergj Qiriazi u emërua edhe nënkryetar i Kongresit, së bashku me Luigj Gurakuqin. Gjithashtu, si një ndër organizatorët më të rëndësishëm dhe nikoqirët e vetë Kongresit, Gjergj Qiriazi i koordinoi punët brenda këtij tubimi i cilli herë herë, për arsye nga më të ndryshmet eskalonte edhe në konflikte verbale në mes të pjesëmarrësve. Më në fund, është Gjergj Qiriazi ai i cili do të hartojë një raport prej disa pikash, një procesverbal ky i përpiluar mirë dhe me pedanterinë e një intelektuali të përkushtuar dhe me përvojë.
Gjergj Qiriazi ishte një dashamirës i shkollimit shqip dhe një punëtorë i palodhshëm, i vendosur që këtë proces ta ndihmojë me të gjitha mundësitë intelektuale që kishte. Meqenëse në vitin 1894 vdes i vëllai i tij Gjerasimi, i cili deri atëherë udhëhiqte Shkollën e vashave në Korçë, kësaj pune me përkushtim iu përvesh vetë Gjergji i cili këtë institucion të rëndësishëm e drejtoi më një sukses të madh. Mirëpo për të ndihmuar këtë punë të rëndësishme, ai nuk u kënaq me kaq. Meqenëse tek shqiptarët ndihej një mungesë e madhe e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, në vitin 1899 në Bukuresht e botoi librin e fizikës të titulluar “Fisika”, një tekst shklollor ky i cili e plotësoi këtë boshllëk ndërsa para nxënësve sjell një terminologji profesionale nga fusha e fizikës, terme këto të cilat edhe sot e kësaj dite kanë mbetë të pa ndryshuara.
Deri në shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar edhe më vonë, në mungesë të institucioneve shtetërore, shqiptarët qenë të detyruar të organizohen nëpër klube të ndryshme, shoqata e shoqëri, prej ku koordinonin punët e tyre në teren dhe ku palnifikoheshin veprimtari të ndryshme me karakter arsimor, kulturor e politik, gjithmonë në të mirë të kombit dhe vendit. Edhe Gjergj Qiriazi ishte pjesë aktive e këtyre ndërmarrjeve, bile bile edhe iniciator i tyre. Gjatë viti 1906 dhe në vazhdim, Gjergj Qiriazi ishte njëri ndër aktivistët më të zellshëm të “Komitetit Për lirinë e Shqipërisë” një organizatë kjo e udhëhequr prej atdhetarit të shquar Bajo Topulli, prej ku kishin dalë shumë iniciativa dhe veprime kundër pushtuesit otoman. Në vazhdim ai do të emërohet nënkryetar i Shoqërisë “Bashkimi” ndërsa në vitin 1909 në Manastir do të themelojë gazeten “Bashkimi i Kombit”, gazetë kjo e cila shumë shpejt u shëndrrua në një tribunë të vërtetë dhe prej ku iu bëhej thirrje shqiptarëve për të ngjeshur radhët e tyre deri në çlirimin e vendit.
Në vitin 1902, në Sofje të Bullgarisë , Gjergj Qiriazi e botoi librin e të vëllait të tij Gjerasimit, të titulluar “Kristomaci”. Megjithëse autor i vërtetë i këtij libri nuk ishte vetë Gjergji por i vëllai, me përpunimin që ua bëri krijimeve të publikuara në këtë libër, redaktimin që ua bëri si dhe parathënien që e shkroi vetë, vërehet një vlerë e theksuar dhe një frymë didaskalike e moralizuese që i përshkon të gjitha këto vjersha, skica a tregime.
Libri është i ndarë në katër pjesë: në pjesën e parë janë përfshirë tridhjetë e dy vjersha. Këto janë moralizime të autorit por që kanë rëndësinë e tyre për edukimin e drejtë të lexuesve, për të luftuar dukuritë negative në shoqëri dhe duke favorizuar dashurinë ndaj mësimit, shkollimit dhe atdheut.
Pjesa e dytë e librit është e përbërë prej 42 poezive të quajtura këngë ngase me këtë qëllim janë krijuar; për tu kënduar si këngë. Edhe këto poezi janë me motive të njejta ose të ngjajshme por që në disa prej tyre sjellin edhe motive sociale si është gyrbeti. Sidoqoftë, edhe këto vjersha sjellin vlera optimiste dhe shprese për një të ardhme më të mirë.
Pjesa e tretë e librit është quajtur dialogë. Në këtë pjesë janë përfshirë dyzet e nëntë skeçe në formë dialogjesh. Këto në të vërtetë janë krijime të shkurta të cilat janë konceptuar në atë mënyrë që të mund fare lehtë të vihen në skenë apo në ambiente tjera të improvizuara. Megjithëse për nga motivet moralizuese edhe këto skeçe iu ngjajnë dy pjesëve të para, rëndësia e këtyre krijimeve është më e madhe ngase për kohën ishte një risi dhe freski e madhe për shkak të mungesës së një gjinie të këtillë letrare te ne. Këto krijime gjithashtu kanë rëndësi ngase të rinjtë dhe fëmijët i vejnë para një prove të rëndësishme për të demostruar shkathtësitë e tyre skenike nëpërmjet lojës.
Në pjesën e katërt të kësaj përmbledhjeje janë përfshirë tetëmbëdhjetë tregime a rrëfime tjera të quajtura përralla. Ngjajshëm sikur edhe tri pjesët e para, edhe këto tregime janë shkruar në frymen e këshillimeve të ndryshme prej spjegimit se si mund të pasurohet njeriu deri te këshillat se të rinjtë duhet dëgjuar e respektuar të moshuarit ose se dashuria ndaj atdhetut është e domosdoshme. Të gjitha këto shkrime janë plot me këshilla të këtilla të cilat angazhohen për të luftuar të keqen dhe në favor të gjërave të mira në shoqëri.
Vetë libri të cilin Gjergj Qiriazi e përgatiti për botim duke i dhënë dorën e fundi, megjithëse me një frymë të tepruar moralizimesh, duke pasë parasysh mungesen e krijimeve për fëmijë dhe të rinjë në fillim të shekullit të kaluar, konsideroj se ka një rëndësi edhe për letërsinë për fëmijë dhe të rinj ngase në të apostrofohen dhe ritheksohen vlerat edukative, njohëse por edhe argëtuese të cilat i sjell para lexuesve duke plotësuar kështu një nevojë e cila atë kohë ishte shumë e theksuar.
Gjergj Qiriazi, si një figurë poliedrike e kohës dhe si një veprimtarë i dalluar për çështjen kombëtare, vështirë se mund të ndahet prej gjithë interesimeve, aktiviteteve dhe veprimtarive të cilat i kishin filluar paraardhësit e tij të familjes a të cilat i kishin vazhduar pasardhësit e tij nga e njëjta familje. Ata përbëjn një prej rasteve më unike, për mos me thënë të vetme ndër ne të përkushitmit familjar në fushen e arsimit, kultures e shkencës por të gjitha këto në funksion të arsimimit e emancipimit kombëtar dhe të çlirimit të vendit nga pushtimi otoman dhe të luftimit të dukurive negative e antikombëtare brenda shoqërisë shqiptare. Gjergj Qiriazi është vetëm njëri prej pjesëve të rëndësihsme të këtij mozaiku, është një prej anëtarëve të rëndësishëm të familjes së madhe të Qiriazëve dhe të pariotëve tjerë shqiptar të kohës.
Manastir, 19.12.2015 Sh.Zekolli