Botanika e papërfunduar e Gjergj Qiriazi

Pothuaj gjithë rilindësit tanë kanë bërë libra për shkollën. Hapin e parë secili e hidhte me alfabetin dhe me atë përgatiste abetaren fillestare, domethënë hapte derën e shkollës. Rilindësit synonin zgjimin e popullit, porse zgjimin në gjuhën shqipe, me shkollën shqipe, me vetëdijen shqiptare, që nga N. Veqilharxhi më 1844, te K. Kristoforidhi, i cili njëherësh me përkthimet e para botoi abetaren në variantet për të dy dialektet (1866-1867),  te D. Boriçi më 1869 e deri te vëllezërit Frashëri. Hapi tjetër do të ishte hartimi përgjithësisht i librave shkollorë. Ndonëse në një kohë më të vonë, këtë rrugë do të përshkonte edhe Gjergj Qiriazi, emri i të cilit mbetet i pashkëputur nga Kongresi i Manastirit. Madje tre vjet përpara atij Gjergji kishte botuar te “Albania”  (nr. 10, 1905, f. 201) Dy letra. Çështja e alfabetit, ku propozonte mbajtjen e një mbledhjeje të përgjithshme.

Vëllai më i madh, Gjerasimi, u përkujdes prej kohësh për shkollimin e tij, ashtu si edhe për motrat. Për herë të parë emrin e Gjergjit në dokumentet e Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja e ndeshim më 10 qershor 1885,1 ndërsa më 10 shtator A. Tomsoni tregon se tashmë i kishte paguar 10 lira për të ndjekur shkollën në Samokov.2

Kështu, kur u hap Mësonjëtorja shqipe e Korçës më 1887, Gjergji ishte ende nxënës për vete, por pas vdekjes së parakohshme të të vëllait (1894), i zuri vendin në të gjitha punët dhe është e kuptueshme, që vëmendja e tij kryesore do të drejtohej te përparimi i shkollës.

Përveç kundërshtimeve të ashpra nga sunduesit osmanë dhe nga fanatikët e ortodoksisë greke, përveç vështirësive financiare dhe për klasa e pajisje shkollore, përveç mungesës së mësuesve me përvojë, shkolla e parë kombëtare kishte nevojë të menjëhershme për tekste shkollore. Këtë nevojë e kishin parashikuar rilindësit prej kohësh dhe ishin përpjekur që ta plotësonin pak nga pak me shkrime e botime nga më të ndryshmet. Për shkak se lëvizja kombëtare mbështetej fort te traditat shqiptare, ishte më e lehtë të përgatiteshin materiale nga lëndët filologjike dhe mësimi i gjuhëve, por kishte mungesa të mëdha për libra të shkencat natyrore dhe të përpikta.

Njohuri për shkencat shqiptarët në atë periudhë i merrnin ose nga studimet në vendet e tjera, ose nga shkollat e huaja brenda trevave shqiptare, por gjithsesi këto dije ishin në gjuhë të huaj. Dihet se Th. Kavalioti ka lënë dorëshkrim një Fizikë greqisht (1752). Në klasat e para fillesat e shkencave përmblidheshin nën emërtimin e “diturive të natyrës”. Kemi njoftime se ato ishin përfshirë në shkollat fillore turke (iptidadie) që nga viti 1883 dhe zgjeroheshin më tej në shkallët më të larta (ruzhdiet dhe idadiet). Është e dokumentuar, që më 1900 fizika jepej turqisht në idadien e Shkupit e të Manastirit. Sipas këtij shembulli, Naim Frashëri hartoi “Dituritë për mësonjëtoret e para” (1886), domethënë pikërisht në prag të çeljes së shkollës në Korçë, ku kishte paraqitur edhe diçka nga fizika. Në këtë Mësonjëtore fizika u përfshi si lëndë që në vitin e parë. Mësuesit mbështeteshin te tekstet greqisht, frëngjisht dhe anglisht, sipas përgatitjes që kishin pasur në shkollat e huaja. Kur u çel edhe shkolla e vashave më 1891, kërkesa për tekste shkollore u bë edhe më e gjerë. Duke e ndier drejtpërdrejt këtë, Gjergj Qiriazi hartoi vetë një tekst për fizikën. Sesa e madhe ishte dëshira e shqiptarëve për të pasur libra shqip e dëshmon edhe një e dhënë tjetër. Te Raporti i Shoqërisë Biblike, 1900, shënohet: “Në depozitën tonë në Manastir kanë ardhur mbi 5000 vizitorë gjatë vitit të kaluar, siç thotë depozitari ynë i shkëlqyer, z. Gjergj Qiriazi”. Ai mbante aty fshehurazi librat mësimorë dhe të tjerë shqip, që u nevojiteshin edhe shkollave të fshehta shqipe, të cilat po përhapeshin.

Fisika e botuar më 1899 në Bukuresht, ashtu si dhe shumë libra të tjerë në shtypshkronjën e Shoqërisë “Dituria”, ka 97 faqe dhe një varg skicash të mira. Përbëhet nga 11 krerë për llojet e trupave, gravitetin, nxehtësinë, magnetizmin, elektricitetin, akustikën e optikën. Ishte libri i parë për fizikën në gjuhën shqipe, pavarësisht se prej cilës gjuhë ishte përshtatur. Jo vetëm ka ndihmuar që të përpunohej terminologjia shqipe e fizikës, por nuk ka dyshim se ka shfrytëzuar edhe përvojën e deriatëhershme si nga botimet, ashtu edhe nga mësimet drejtpërdrejt në shkollë. Libri pati sukses, sepse doli në kohën, kur në shkollën e djemve në Korçë kishte rreth 80 nxënës dhe fizika (1900)  përfshihej si lëndë në klasat IV-V, ndërsa në klasën VI e jepte Nuçi Naçi. Ky ishte drejtor dhe në shumë raste e ka parashgtruar kërkesën e madhe për libra shkollorë, që të vinin nga Bukureshti. Edhe në Shkollën e vashave ishte në program lënda e fizikës. Më duket me interes të vë në dukje, se po në atë vit 1899 kanë dalë nga shtypi gjithsej 13 libra shqip, ndër ta edhe ‘Istori e Shqipërisë” e N. Frashërit, dhe manifesti i Rilindjes “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, në të cilin shtrohej kërkesa për të pasur në Shqipëri universitet dhe madje muze të historisë së natyrës me bimë e kafshë të Shqipërisë, ndërsa do të botoheshin edhe revistat shkencore përkatëse.

Këto ishin rrethanat, të cilat e shtynë Gjerasimin që ta vijonte punën në këtë drejtim, duke hartuar një libër edhe për botanikën. Për mendimin tim, rrjedhimisht kjo punë i përket fillimit të shek. XX. Ai e nisi përgatitjen, por nuk e përfundoi dhe mbeti vetëm një dorëshkrim. Historia e gjetjes së dorëshkrimit është kjo.

Në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX Xhon Kuanrudi (John Quanrud), një studiues anglez, që e njeh shumë mirë shqipen, filloi kërkimet për të shkruar një libër për Gjerasim Qiriazin. Për këtë ai vajti në mjaft arkiva dhe takoi shumë njerëz, e përfundimisht botoi librin “Besë, shpresë dhe dashuri”, kushtuar jetës së Gjerasim Qiriazit (Tiranë, 1998). Me përpjekjet e tij gjithashtu u përgatit botimi i librit të parë të “Kristomacisë” së Gjergj Qiriazit (Prishtinë, 1991). Sot Kuanrudi është drejtor i Viking Minds pranë Universitetit të Notinghamit në Angli dhe nuk e ka humbur aspak interesimin për albanologjinë.

Është e kuptueshme, që Xh. Kuanrudi do të gjurmonte historinë e familjes së Qiriazëve për të gjetur dokumentet përkatëse. Doli se kur vdiq Gjergji më 1913, la gruan me dy fëmijë. Një vit më pas familja u shpërngul në Vankuver të Kanadasë. E bija, Viktoria, i nisi për në Kanada gjithë materialet më të rëndësishme të lëna nga i ati. Dorotia, bija e saj, domethënë mbesa e Gjergjit, u mor me ndjekjen e trashëgimisë. Kuanrudi e takoi atë dhe me pak ngurrime, ajo pranoi që të hapeshin arkat me materialet. Mes të tjerash, doli se ishin edhe dy kopje origjinale të nënshkruara të Vendimeve të Kongresit të Manastirit. Për fat të keq, autoritetet shqiptare nuk janë kujdesur që ta sjellin në atdhe këtë thesar të çmuar. Kuanrudi arriti të fotokopjonte një pjesë të mirë dokumentesh dhe, me një bujari të jashtëzakonshme, m’i vuri në dispozicion. Aty unë pashë dorëshkrimin për botanikën, por Kuanrudi më ka treguar gjithashtu, se kishte parë edhe një album të madh me lule të thara, secila e shoqëruar me emrin shqip dhe me termin shkencor.

Edhe për botanikën njohuritë shqiptarët në atë periudhë i merrnin ose nga studimet në vendet e tjera, ose nga shkollat e huaja brenda trevave shqiptare, por gjithsesi këto dije ishin në gjuhë të huaj. Ndërkaq, bota bimore e Shqipërisë paraqiste rëndësi të veçantë në hartën e studimeve europiane për këtë fushë. Më 1892 akademiku italian Antonio Baldaçi ndërmori një udhëtim nga Semani deri në krahinën e Bregut dhe botoi më 1902 “Itinerari albanesi”, por bimët dhe kafshët aty janë dhënë vetëm latinisht. Ndre Mjeda ka lënë rreth 310 emra bimësh, pjesërisht të shoqëruar me termat latinisht, dhe dorëshkrimi duhet të jetë i vitit 1904.

Botanika quhej për atë kohë “Bimëtregonjë”, sipas një përpjekjeje të panevojshme për të shqipëruar emrat e disa shkencave themelore (dhetregonjë, kafshëtregonjë, njeritregonjë etj.). Përveç njohurive në historinë e natyrës, bimëtregonja jepej si lëndë më vete në shkollën e djemve edhe në të vajzave. Dihet se e jepte mësim Fanka Eftimi, madje në programin e vitit 1901 pas fjalës shqipe jepej në kllapa (Botany).

Dorëshkrimi i Gjergj Qiriazit mban titullin “Bimëtregonjë” dhe ka 37 faqe. Paraqiten organet e bimëve, duke shtuar në kllapa termat përkatës latinisht, si edhe figurat që duhej ta shoqëronin tekstin kur të botohej libri. Kur vjen radha për farat, vijohet me klasifikimet e grupit të fanerogameve dhe të kriptogameve, por këtu dorëshkrimi ndërpritet. Shkrimi përgjithësisht është i qartë dhe me pak ndreqje. Natyrisht, edhe këtu ka rëndësi të vihet në dukje si edhe për fizikën, se do të jetë zgjedhur një tekst i huaj për ta përshtatur shqip, ndërkohë që kjo tregon se nxënësve shqiptarë u jepeshin njohuritë më të mira të fundit të shek. XIX në këto dije. Si gjithnjë, interes të veçantë paraqet terminologjia. Është e dukshme prirja për t’i dhënë shqip termat latinisht. Rizomat janë quajtur “rrënjcake”, zhardhokët (tuberat) janë dhënë “panxharë”. Për gjethet thuhet se format janë: viare, kordhake, fillpërake, shëfitare, zgjatore, eleptake, mburonjë, vezëtore, rrumbullake, pyktare, zemrake, së prapi zemrake, bubrekore, shtizare. Dikotiledonet dhe monokotiledonet, që sot janë bërë dythelbore dhe njëthelbore, autori i ka quajtur “njëfarëndarje’ dhe ‘dyfarëndarje’. Pavarësisht prej këtyre neologjizmave, teksti kuptohet qartë dhe është sipas alfabetit të Stambollit.

Më 1906 Gj. Qiriazi ka botuar në Sofje librin Kënkë të shënjtëruara për falëtoret shqipe dhe shënon se janë “Të kthyera prej anglishtesë, gërqishtesë edhe bullgarishtesë”. Kjo dëshmon se ai përkthente e përshtaste prej këtyre tri gjuhëve. Një shqyrtim më i hollësishëm do të tregonte se prej cilës gjuhë e ka marrë lëndën për dy librat e tij shkollorë. Çelësi për këtë është te termat e përdorur. Për shembull, te “Fizika” kam vënë re se shkruhet “magnitizm”, domethënë me drejtshkrimin e greqishtes, sepse prej anglishtes dhe bullgarishtes do të duhej të ishte “magnetizm”. Për bimën xerxelja ka dhënë “molla e ujkut”, e cila është kalkim nga bullgarishtja ‘vëllce jabëllka”; ndërsa nga anglishtja ka “në këtë themeli” për ‘on this base’; në dorëshkrim e shkruan I (e madhe) njësoj si anglishtja dhe vë presje përpara lidhëzës “edhe’ po ashtu si në anglishten.

Lind pyetja: përse Gjergji nuk arriti ta çonte deri në fund Botanikën? Zotimet e tij si atdhetar shkuan duke u ndërlikuar. E kemi të dëshmuar, se ishte në shërbim të Shoqërisë Biblike në Shkodër dhe në janar 1901 mori letër nga i biri i Kristoforidhit, Stefani, lidhur me fatin e pështjelluar të dorëshkrimit të Fjalorit. Pas një viti ky madje i kërkoi që të gjente fondet Gjergji për ta blerë dorëshkrimin. Ai iu përgjigj me qortimin, se kishte vepruar thellësisht gabim dhe se e kishte për detyrë t’ia ruante këtë thesar kombit shqiptar. Autoritetet osmane kërkuan njoftime mbi personin e Gjergjit dhe ky u vu në rrezik të arrestohej. Gjatë këtyre përpjekjeve, shtiu në dorë dorëshkrimin e “Gjahut të malësorëve” dhe e dërgoi për botim te “Albania”. Nënkonsulli austriak në Manastir, Krali, në raportin e 15 prillit 1902 ka shënuar: “Ai e vuri veten në rrezik për interesin tonë, si dhe nga dashuria për çështjen dhe në këtë rast, gjë që për pozitën e tij është veçanërisht e rrezikshme, e kishte kërkuar Fjalorin në emër të Shoqërisë së tij.” Pas daljes së Fjalorit të Kristoforidhit, Gjergji botoi një artikull të gjatë te “Drita” e Sofjes (22 prill 1905), duke përfunduar, se: “Me këtë librë neve munt të quhemi se kemi vaturë mjaft gjurma përpara ndë literaturët tonë.” Nënkonsulli Kral nuk mund të mos e mbronte, sepse prej tij merrte raportime të rëndësishme e të pandërprera për gjendjen e shqiptarëve dhe të aspekteve të tjera të jetës në vilajetin e Manastirit. Mjafton të përmenden “Ca shënime për punën ndë Korçë për motin 1901” (gusht); “Shënime mbi shkollën e vajzave” (nëntor 1901); “Disa vërejtje mbi shkollën shqipe të vajzave në Korçë” (1904) etj. Nga 1 marsi 1905 ishte caktuar dragoman honorar i konsullatës austriake.

Menjëherë më 1894 ai i kishte marrë përsipër detyrat e të vëllait dhe i vazhdoi ato me përkushtim. Ndër këto punë, siç u tha, më e rëndësishmja ishte mbajtja e dy shkollave shqipe, për djemtë dhe për vajzat në Korçë. Por edhe nuk e la në harresë trashëgiminë e vëllait më të madh. Është me rëndësi, që të paraqitet drejt kjo ndihmesë e tij, sepse ka pasur përshtjellime në botimet tona. Sh. Osmani më 1983 e quante se ishin libra të tij dy botimet e “Hristomathisë”.R. Elsie gjithashtu i ka quajtur vepra të Gjergjit. H. Hasani, ndonëse e ka shënuar botimin e vitit 1902 si të Gjerasimit, pak më poshtë po aty e përfshin edhe si vepër të Gjergjit, bashkë me “Kënkë të shenjtëruara” (1906). E vërteta është se për “Hristomathinë” e vitit 1902 Gjergji është redaktori për botim dhe ka shtuar vetëm parathënien, dy vjersha të vetat dhe dy copa të Sevastisë, ndërsa në botimin e vëllimit të dytë më 1907 ka ruajur pjesërisht paraqitjen e kopertinës, duke bërë disa ndryshime edhe në shkronjat e alfabetit, ndërsa e vë në dukje se shumica janë pjesë të përkthyera dhe pak të hartuara prej tij. Kjo shpjegon përse në të dy rastet ka përdorur për hartuesin fjalën “Një mëmëdhetar”, domethënë për të mos lënë të kuptohet, se lënda është origjinale e një autori. Veç këtyre, Gjergji ka përkthyer që më 1894 librin mjaft të njohur të John Bunyan-it me titull “Pilgrims Progress”, i cili shqip ka dalë si “Udhëtari nga kjo botë ndë tjetrën” me autor Jovan Benjian, por që u botua vetëm më 1927 në Korçë.

Po t’u shtojmë këtyre se gjysmën e dytë të vitit 1903 e kaloi bashkë me 3 librashitës të tjerë, duke shpërndarë falas libra me fonde të ndihmave angleze dhe amerikane mes fshatarëve të mjerë nëpër krahinat e djegura, do të kuptohet përse ai e la mënjanë punën për Botanikën. Gjithsesi, ky dorëshkrim i shtohet trashëgimisë së këtij atdhetari të përkushtuar për pavarësinë e Shqipërisë, për gjuhën shqipe dhe për arsimin shqiptar. Dëshiroj ta mbyll, duke vënë në dukje se të dy vëllezërit kanë qenë edhe përkthyes të mirë, diçka që nuk është përmendur deri më sot.

SHËNIMET

1.      A. Thomson, Letër për Gjerasimi Qiriazin, 10 qershor 1885: “Ju lutem gjithashtu të më tregoni për vëllanë tuaj më të vogël, i cili po pret të shkojë në Samokov semestrin e ardhshëm. Shpresoj se është mirë. Kam premtuar të jap dhjetë lira turke për ta mbështetur ose për t’ia mundësuar, që të shkojë në Samokov dhe shpresoj se do të jetë i zoti që ta kryejë”.

2.      A. Thomson, Letër për Gjerasim Qiriazin, 10 shtator 1885: “Kam paguar 10 lirat turke për vëllanë tuaj, Gjergjin, që të ndjekë shkollën në Samokov dhe shpresoj se do të jem në gjendje të mbledh po atë shumë për vitet e tjera të studimit të tij atje. Por ende nuk kam gjetur ndonjë kishë, që të dërgojë një mision në Shqipëri. Shoqëria e Ndihmës së Misionarëve në Turqi na ka premtuar 25 lira për dy vjet dhe më ka dërguar diçka më shumë, që do ta ndihmojë Gjergjin. Por nuk mund të bëj ndonjë premtim për të ardhmen”.

3.      OSMANI, SH. (1983): Fjalor i pedagogjisë. SHB ‘8 NËNTORI”, f. 581.

4.      ELSIE, R. (1997): Histori e letërsisë shqiptare. DUKAGJINI, Pejë, f. 213.

5. HASANI, H. (2003): Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001. FAIK KONICA. Prishtinë, f. 363