Veprimtaria atdhetare e Mithat Frashërit gjatë viteve 1908-1910

Mithat Frashëri, trashëgimtari i njërit prej fisit më të rëndësishëm të periudhës së Rilindjes Kombëtare, Frashërve, gjithë jetën e tij ia kushtoi realizimit të aspiratave kombëtare. Thyhej sa herë që e mendonte Shqipërinë nën zgjedhën e skllavërisë prandaj dhe veprimtaria e tij nuk shtrihej vetëm në një periudhë por kontribonte për të sa herë që e shikonte në rrezik. Duke kërkuar vazhdimisht vetëm të mirën e Shqipërisë dhe të evitojë që ajo të behej viktimë e propagandave vendore të dëmshme por edhe të huaja llogariste se shqiptarët janë të zotë të vetes dhe më i denji për nderim të Evropës andaj ata duhet të luftonin çdo lloj propagande.

Mithat Frashëri lindi më vitin 1879 në Janinë dhe vdiq më vitin 1949 në New York, SHBA. Në dobi të veprimtarisë shqiptare ai filloi që të inkuadrohet që në fund të shek. XIX-të ku në fillimet e tij ai punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Jetën aktive për realizimin e çështjes kombëtare ai e filloi që në gjysmën e parë të shek. XX-të.

Realizimi i tij i parë më i suksesshëm padyshim ishte botimi i gazetës “Lirija” në vitin 1908, e cila ishte edhe organi zyrtar i shoqatës shqiptare të Selanikut që u themelua më 24 gusht 1908. Që në fillimet e botimit të gazetës atdhetari shpalos pikëpamjet e tij për të realizuar idealin e një Shqipërie autonome të cilat përkojnë kundër ndikimeve të huaja në Shqipëri. Një rol të veçantë i kushtoi mosbesimit tek Austro-Hungaria për qëllimet e saja në territoret shqiptare kurse nga ana tjetër mbronte pikëpamjet e forta xhonturke deri në vitin 1910 kur edhe u pa haptasi synimi real i turqve të rinj. Mithat Frashëri si një dashamirës i kushtetutës paraqet Monarkinë e Dyfishtë si prishës i qetësisë së rilindjes xhonturke të shtetit otoman, të cilën e shikon si tutore të shqiptarëve.

Mbështetjen për regjimin e ri të xhonturqve ai e paraqiti edhe gjatë takimit para 400 shqiptarëve, gegë dhe toskë në Selanik me ç’rast diskutoi për periudhën e re që do ta mbërthente popullsinë shqiptare me shpalljen e kushtetutës. Ai gjithashtu ftoi asamblenë të themelonin statute për Klubet shqiptare që do të ngriheshin në gjithë qendrat e mëdha shqiptare. Këta klube nuk do të kishin për qëllim që të mirreshin me politikë por do të gëzonin të drejtën e çështjeve humanitare dhe kulturore.

Çështja e hapjes së klubeve mori hov të madh dhe atdhetarët shqiptarë morën përsipër themelimin e klubit “Bashkimi”në Manastir. Gjatë formimit të këtij klubi u hasën mosmarrëveshjet mes gegëve dhe toskëve, ku gegët dëshironin themelimin e një klubi të tyre të vetin. Përçarja në mes gegëve dhe toskëve me shumë gjasa do të sillte mosrealizimin e suksesit të kongresit që ishte projektuar që të mbahej, kështu që përtej rëndësisë së tij lokale mund të kishte dëmtuar lëvizjen kulturore shqiptare. Sheshimin e mosmarrëveshjeve në klub arriti që të bëj Mithat Frashëri me ç’rast u vendos shkrirja e klubeve dhe rizgjedhja e udhëheqjes së Klubit “Bashkimi”.

Në krye të klubit u vendos Rexhep Hoxha kurse kryetari i deriatëhershëm Fehim bej Zavalani u zgjodh zëvendës kryetar.

Duke rrjedhur nga një familje që rolin kryesor e vendoste në shkrimin e shqipes, edhe për Mithat Frashërin motivi jetësor do të ishte gjuha, jo më kot ai do të theksonte: Gjuha është rrojtja a vdekja e kombit. Objektivi i atdhetarëve shqiptarë për të ndërgjegjësuar popullsinë me anë të arsimimit dhe për futjen e tij në rrugën e qytetërimit u shpreh edhe në një thirrje në gjuhën shqipe që u shpërnda në Manastir për të punuar parreshtur në përparimin e gjuhës sonë. Qendra të realizimit të këtij objektivi u bënë klubet e formuara kombëtare, e sidomos klubi “Bashkimi” i Manastirit i cili pas realizimit të punës së madhe përgaditore arriti që të realizojë mbajtjen e Kongresit kombëtar shqiptar.

Rëndësia e realizimit të këtij kongresi mund të vendoset menjëherë pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila u realizua për njësimin e alfabetit nga 14-22 nëntor 1908. Në krye të Kongresit u vendos pikërisht atdhetari i shquar i Frashërve, Mithat Frashëri. Duke parë se diskutimet në këtë Kongres ishin mjaft të mëdha për vendosjen e përdorimit të një alfabeti u pa e arsyeshme formimi i një komisioni me në krye Gjergj Fishtën, mirëpo edhe këtu nuk mund të lihej jashtë rëndësia e madhe e Mithat Frashërit i cili arriti që të zgjidhej nënkryetar i komisionit. Ndonëse qëllimi i vendosur nga komisioni për caktimin e një alfabeti nuk u arrit, reduktimi i përdorimit vetëm në dy alfabete ishte sukses në vete për popullsinë shqiptare. Sipas një raporti të konsullit austro-hungarez në Janinë, Bilinski, dërguar konsullit austro-hungarez në Stamboll, Pallavaçinit, ai vë në dukje se xhonturqit shfrytëzonin edhe aspektet fetare duke shtuar se Kur’ani është i shkruar me shkronja arabe-turke, dhe se nuk duhej zgjedhur shkronjat latine pasi atëherë shqiptarët do të mbeteshin nën mëshirën e popujve evropianë pasi që ata përdornin të njëjtat shkronja dhe në veçanti të Austro-Hungarisë dhe Italisë.

Kjo i atribuohej edhe Mithat Frashërit duke ditur se edhe ai ishte mbështetës i flaktë i xhonturqve. Të deleguarit e Vjenës raportuan edhe për një propagandë mjaft të madhe nga ana e klubit të Selanikut respektivisht Mithat Frashërit, i cili kishte akuzuar Vjenën se nuk ka qëllime të sinqerta kundrejt Shqipërisë, por se Vjena dëshiron të mbjellë grindje dhe intriga kundër kushtetutës në Turqi për të zënë peshq pastaj në ujë të turbullt. Një sukses tjetër i Kongresit ishte zgjedhja e klubit të Manastirit si klub qendror. Synime për të zgjedhur në këtë detyrë klubin e Stambollit e kishin disa atdhetarë të shquar me qëllim që komiteti i turqve të rinj nëpërmjet tij të vendoste nën kontrollin e vet Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, dhe padyshim njëri nga to ishte Mithat Frashëri. Ai njihej tashmë edhe si luftëtar për të drejtën ekskluzive të alfabetit të Stambollit dhe këtë ai e realizonte si rezultat i afërsisë së tij me xhonturqitBesnikëria e Mithat Frashërit në programin e xhonturqve dhe shfrytëzimi i pozitës së tij nga këta të fundit shihej edhe gjatë janarit të vitit 1909.

Akuzë e ardhur nga Dervish Hima, i cili në këtë periudhë ishte i burgosur në Selanik. Atdhetari në fjalë i llogariste pjestarët e klubit të Selanikut si vegël e xhemietit të cilët mendonin për përfitimet e tyre personale ose për të ruajtuar pozitat zyrtare. Kundëthëniet në mes dy atdhetarëve do të vazhdojnë edhe më vonë për caktimin e udhëheqjes së klubit të Selanikut. Mithat Frashëri duke mos dashur që të humbas drejtimin e klubit i kishte ofruar një pozitë sekondare Dervish Himës por ky i fundit kishte refuzuar që të pranojë. Rritja e pakënaqësisë se si funksiononte drejtimi i klubit të Selanikut nga Mithat Frashëri tanimë nuk ishte vetëm në Selanik por ajo kishte kaluar edhe në krahina tjera shqiptare, kurse kundërshtari i tij atdhetari Dervish Hima gëzonte një simpati të përgjithshme, prandaj edhe vendosja e tij si kryetar i klubit të Selanikut ishte më afër se kur.

Rritjen e dozës së pakënaqësisë së punës së Mithat Frashërit e realizoi Kongresi i Dibrës, edhe pse ai vet nuk ishte prezent në punimet e këtij kongresi nuk morri iniciativë për të kritikuar punimet dhe vendimet e tij. Të njëjtën gjë realizoi edhe me anë të gazetës së tij “Lirija” në të cilën nuk u shkrua asgjë në lidhje me këtë Kongres. Përndryshe, ai vazhdonte të mbante ende qëndrim kritik kundër ndërhyrjeve të huaja në çështjet kombëtare shqiptare në përgjithësi dhe kongresin tjetër që do të mbahej i paraparë në Elbasan në veçanti.

Qëndrimi vazhdon me atë që personat të cilët haptazi mbajnë lidhje me fuqi të huaja të mos zgjidhen në komisione për të mos patur asnjë ndikim vendimtar mbi zhvillimin e konsultimeve. Në këtë kongres përfaqësoheshin dy grupime politike: krahu i moderuar me Mithat Frashërin i cili u jepte përparësi reformave dhe krahu radikal me qëllimin e jetësimit sa më të shpejtë të çështjes kombëtare.

Edhe në kongresin e Elbasanit, Mithat Frashëri ishte në pozitë udhëheqëse ai u zgjodh nënkryetar si dhe kishte marr përsipër përfaqësimin e delegatëve të Shkupit të cilët i kishin vetbesuar përfaqësimin e tyre nëpërmjet këtij atdhetari. Ai u vu në krye edhe në komisionin e punimit të një rregullore për lidhjen e të gjitha klubeve shqiptare.
Zgjedhja e klubit të Manastirit si klub qendror irritoi mjaft Mithat Frashërin i cili kishe propozuar për një detyrë të tillë klubin e Selanikut. Gjatë nënshkrimit të këtij akti ai vendosi nënshkrimin në klapa me ç’rast theksonte se ai nuk e njihte një gjë të tillë.

Në vazhdimësi e sipër të punimeve ai u revoltua duke përdorur edhe shprehje fyese si: “Marrshit veten në qafë”,ynë më i madh është Austria, poshtë Austria”“Le të vrasin veten” gjë që shkaktoi një zemërim të madh tek delegatët dhe vetëm madhështia e emrit të Frashërit e ruajti nga sulmet fyese në kongres.

Mithat Frashëri ngeli i prekur nga pritja e ftohtë që iu bë në Kongresin e Elbasanit. Qëndrimi i delegatëve ndaj këtij atdhetari vinte si rezultat pasi që të gjithë dinin mbi qëndrimin e tij miqësor me xhonturqit dhe për subvencionin e tij mujor nga turqit e rinj prej 15 lirave turke si dhe për refuzimin që iu bë duke mos zgjedhur si klub qendror klubin e Selanikut. Përkundër qëndrimit të ashpër nga Mithat Frashëri në Kongres, gazeta e tij “Lirija” pas përfundimit të punimit të Kongresit njohtoi të gjithë mbi arritjen e madhe të popullsisë për hapjen e shkollës normale në Elbasan e cila do të hapte dyert për të gjithë nxënësit.

Mithat Frashëri luajti një rol të rëndësishëm edhe gjatë vitit 1910 në lëvizjen kombëtare shqiptare. Ndonëse ai nuk ishte pjesmarrës në Kongresin e dytë të Manastirit qëndrimet e tij i gjejmë nëpërmjet deklaratave dhe reagimeve në shtyp me anë të gazetës së tij. Gjatë kësaj periudhe ajo që e preokuponte më shumë popullsinë shqiptare ishte shkrimi i gjuhës amtare, prandaj edhe reagimi i tij vinte për shkronjat e përdorura. “Nëse rikthehemi në shkrimet e mëparshme do të shohim se Sami bej Frashëri, Hoxhë Tahsin efendiu, Tahip efendiu, Vaso Pasha, Jani Vreto dhe të tjerët edhe përkundër persekutimeve të shumta nuk është bërë kurrë një gjynjëzim i tyre nën zgjedhën e shkronjave orientale” kishte deklaruar mes tjerash Mithat Frashëri. Më pas ai vazhdon: Këto shkronja janë të huaja për karakterin indo-gjerman të shqipes të cilat ishin refuzuar edhe nga elementi mysliman, gjuha shqipe ka një histori me shkronjat latine.

Një qëndrim kishte mbajtur edhe për qeverinë otomane duke theksuar se: Çështja e alfabetit është një çështje e brendshme e popullit shqiptar dhe se qeveria do duhej të mbante një qëndrim neutral dhe jo çështjen e shkronjave ta zmadhosh dhe ta bësh çështje politike dhe fetare.

Kontributi dhe atdhedashuria e Mithat Frashërit do të vazhdojë edhe gjatë periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë por edhe më tej. Një figurë e kompletuar, shërbëtor i atdheut, diplomat, politikan, analist, lëvrues e studiues i gjuhës shqipe, shkrimtar, biograf, luftëtar antifashist dhe antikomunist, nacionalist demokrat, themelues e lider i Ballit Kombëtar të gjitha këto i përmbledh një nga personazhet me aktiv dhe kyç të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shek. XX-të, Mithat Frashëri Bashkëpuntore në Universitetin Shtetëror të Tetovës.